highlight_off

Lindita Myzyri: Të qenët grua kërkon sakrificë


Lindita Myzyri

Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Elona Tereziu

“Një grua që do të punojë dhe rritet profesionalisht, e gjen gjithmonë mundësinë, pavarësisht bërrylave. Nuk ka gjë që nuk arrihet po të kesh dëshirë dhe vullnet”. Këto janë fjalët e një gruaje, e cila buzëqesh pavarësisht goditjeve të marra nga jeta. Bëhet fjalë për mjeken Lindita Myzyri, e cila prej më shumë se 30 vjetësh ia ka kushtuar jetën e saj profesionit, shëndetit të gruas, mbarëvajtjes së shtatzënisë dhe planifikimit familjar. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, gjinekologia e Qendrës Shëndetësore nr.3 në Tiranë rrëfen pjesë nga jeta e saj pa rezerva.

Doktoreshë Lindita, pse zgjodhët mjekësinë?

Nuk e zgjodhja mjekësinë si universitet, mjekësinë e kam zgjedhur që në gjimnaz, pasi shkollën e mesme e kam bërë për mami. Pasi mbarova 4-vjeçarin, si një nxënëse e shkëlqyer (e them me modesti këtë), m’u dha e drejta e përzgjedhjes. Doja të bëhesha kardiologe, por më dhanë degën për obstetër-gjinekologji. Në fillim kisha pak mungesë dëshire, por sot, pas më shumë se 30 vitesh pune, mund të them se është profesioni që dashuroj më  shumë në botë.

A ishte mjekësia një traditë e trashëguar në familjen tuaj?

Në familje nuk kam pasur njeri të lidhur direkt me mjekësinë, por babai im, i cili ishte oficer, në kohën që ishte në detyrë bëri edhe një kurs për infermieri. Ishte kaq i apasionuar pas mjekësisë, sa donte me çdo kusht që në familje të kishte një mjek. Në familjen tonë me shtatë fëmijë, më zgjodhi mua për të plotësuar ëndrrën e vet.

Po Jona, vajza juaj, pse nuk zgjodhi të ecte në gjurmët e mamasë?

Kam punuar për një kohë të gjatë në Maternitetin e Himarës dhe isha mjeke e vetme. Telefoni binte orar pa orar dhe unë duhet të shkoja. E konsideroj veten një nënë të përkushtuar, por profesioni nuk më ka lënë të jem shumë pranë familjes. Duke parë përkushtimin, mundin dhe lodhjen, ime bijë vendosi të merrte një profesion tjetër. Zgjodhi drejtësinë dhe u bë avokate.

Sa e keni gjetur mirëkuptimin e familjes në punën tuaj?

Unë kam dy jetë në familje. 20 vjet më parë humba në një aksident djalin dhe bashkëshortin. Një lajm i tillë më bëri të qëndroj në koma për një vit. Nga ajo gjendje më nxori vetëm ime bijë me thirrjet: “Mami, zgjohu! Jeto për mua!”. Nga ai moment vendosa të jetoj. Të jetoj për vajzën time.

Bashkëshorti im ishte i mrekullueshëm. Ishte inxhinier, por në vitet e para që sapo dola nga fakulteti, që të bindej mbi njohuritë e mia, më hapte librat e më pyeste me orë të tëra nëse isha e saktë. Nuk më pengonte kurrë në punë, por më shoqëronte në çdo lloj urgjence, ditën e natën, pasi Himara, ku dhe punoja, ka një terren shumë të thyer dhe shtëpitë janë të shpërndara. Por ai ishte një mbështetje e madhe.

Pas humbjes së tij, vendosa të vij në Tiranë dhe të përmbush objektivat që kishim vendosur bashkë për fëmijët. Gjithçka kam bërë, e kam bërë për vajzën time, dhe nuk jam bërë asnjëherë pishman. Sepse jetoj.

Cila është pjesa më e bukur e profesionit tuaj?

Unë merrem me ndjekjen e gruas shtatzënë, me problemet gjinekologjike dhe planifikimin familjar. Që të tria janë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën dhe unë i dashuroj shumë.  Por ajo që unë dashuroj më së shumti, është ndjekja e gruas shtatzënë, jo vetëm nga fakti që i ndjek dhe i trajtoj për 9 muaj, por kur lindin dhe më vijnë me bebat këtu, është një ndjesi e papërshkrueshme.

Një gjë tjetër që më kënaq jashtëzakonisht shumë, është kur vijnë çifte të rinjsh të dashuruar. Unë në përgjithësi punën time e kam ndërtuar në çift, çka do të thotë, unë dua që një grua shtatzënë të më vijë e shoqëruar me bashkëshortin dhe kur nuk ka mundësi bashkëshorti, i lutem nënës të më vijë me personin autoritar në familje. Përse? Sepse shtatzënia si proces fiziologjik ka të mirat dhe problemet e saj. Nëse ajo është me bashkëshortin apo personin autoritar që ka në familje, të më dëgjojë mua kur e vizitoj, kur i jap këshillat. Ndërkohë që i dëgjon edhe ai person, atëherë i jep më shumë mbështetje gruas shtatzënë në familje, dhe mua më ecën më mirë shtatzënia. Dhe kjo funksionon në mënyrë më të përsosur. Kam pasur raste që vetë nuset kërkojnë të vijnë me vjehrrat, sepse ndërsa unë i them të bëjë regjim, të mos lodhet, të mos ngrejë pesha, vjehrra i thotë që si nuse shtëpie duhet t’i bëjë të gjitha. Për mua është kënaqësi që nusja kërkon bashkëpunimin tim. Unë u flas gjysheve. Nuk u bëj moral, por u flas nëpërmjet nipit apo mbesës që mban nusja në bark. E nipërit dhe mbesat për gjyshërit janë mjalti i mjaltit.

Nisur nga puna juaj, a mendoni se kujdesen sa duhet gratë në Shqipëri për shëndetin e tyre?

Jo, nuk kujdesen sa duhet. Flas gjithmonë  në këndvështimin e profesionit. Një grua e cila ka hyrë në marrëdhënie seksuale, edhe pa pasur asnjë lloj problemi duhet që një herë në 6 muaj të bëjë një kontroll tek gjinekologu. Rëndom këtu vijnë vetëm kur kanë vërtet probleme. Sigurisht, ka edhe raste raste që vijnë thjesht për një kontroll, por më së shumti këto raste janë tek ato gra që kanë lëvizur, jetojnë jashtë shtetit, por kur kanë radhën e kontrollit, ndodhen në Shqipëri.

Sa i rëndësishëm është kujdesi për shëndetin e gruas?

Jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm. Gruaja që të kalojë deri në këto stade, duhet që në adoleshencën e hershme të saj të dijë të njohë vetveten. Të njohë trupin e saj. Por që të dijë të njohë trupin e saj, gra duhet të marrë informacion. Fatkeqësisht informacionin më të shumtë moshat e paraadoleshencës e marrin nëpërmjet internetit. Për këtë jam totalisht kundër. E para për faktin se nuk kanë pjekurinë për ta përpunuar atë lloj informacioni. E dyta, sepse atë informacion e ndajnë me brezin e tyre dhe informacioni përpunohet josaktësisht. Së treti, le të kemi parasysh se jo çdo informacion në internet është i saktë. Në internet shkruaj unë, shkruan kolegu im, por shkruan edhe dikush që nuk ka lidhje me mjekësinë.

Ndaj është e rëndësishme që në krye të herës të marrin kontakt me mjekun gjinekolog. Nuk është aspak turp të shkosh tek gjinekologu, sepse pikërisht për shkak të këtyre mangësive në informacion jeta seksuale ka filluar kaq herët sot.

Por që të fillosh një jetë seksuale që 12 vjeç, do të thotë të ndërrosh partner. Që të ndërrosh partner, do të thotë të dëmtosh veten. E para, dëmtohesh nga ana gjinekologjike. E dyta, dëmtohesh nga ana psikologjike. E treta, mund të ngelesh shtatzënë. Dhe e katërta, je e prirur për infeksione seksualisht të transmetueshme, gjë të cilën e them me bindje të plotë që sot në vendin tonë ka një rritje të konsiderueshme të rasteve të reja. Nuk mund të flas me shifra të sakta, sepse nuk kam statistika, por e them me bindje nisur nga puna im. Po has çdo ditë  e më shumë vajza të reja të reja, të pamartuara, por në lidhje që kondilomat (lythet vaginale) i kanë me shumicë.

Sa e vështirë është të jesh grua (vajzë) sot?

Të jesh grua (vajzë) është mrekulli. Për mua grua ka tru, grua menaxhon një shtëpi, grua bëhet nënë që është ndjesia më e bukur në botë, dhe përpos këtyre menaxhon edhe shoqërinë.  Por sot në aktualitetin tonë është paksa e vështirë për të ecur para, pasi nuk i kemi të gjitha komoditetet. Duke qenë grua, bëhesh nënë, por të bërit nënë të privon nga shumë gjëra. Rritja e fëmijës është faza më e rëndësishme dhe më sakrifikatore nga ana e nënës. E them gjithmonë jo vetëm në kontekstin e gjinekologes, por edhe si grua: të lindësh është kollaj, por të rritësh një fëmijë është shumë e vështirë, është si të ngresh një kishë vetëm apo një xhami vetëm, sepse ashtu si i rrisim, ashtu si i edukojmë, ashtu do të dalë ai fëmijë.

Nga jeta ime personale, mund të them se në periudhën nga 0-4 vjeç të fëmijëve të mi, unë kam harruar gjithçka, kam harruar dhe veten time, sepse është ai përkushtimi i jashtëzakonshëm që kërkohet gjatë kësaj kohe.

Unë e kam shëtitur gjithë Shqipërinë nëpërmjet trajnimeve të ndryshme që kam bërë dhe kam parë se akoma nuk është mentaliteti aq i hapur për t’i dhënë gruas një mbështetje të fuqishme. Gratë për nga natyra janë arriviste në vetvete, kanë ego personale dhe duan dhe të punojnë. Por, nëse nuk  ke mbështetje në familje që të lehtësojë nga punët që ke ti si grua, s’mund të ecësh dhe shumë përpara. Plus pastaj bërrylat që has në shoqërinë tonë. E them këtë shumë hapur e s’kam pikën e drojës. Në shoqërinë tonë has shumë bërryla. Se mund dhe ta kesh mbështetjen e familjes, mund dhe të jesh dhe e aftë dhe e zonja, por shoqëria jonë të vë një lloj pragu që ti nuk e kalon dot.

Gjithsesi, njeriu e gjen mundësinë. Ai që do të punojë, ai që do të rritet profesionalisht, ai që ka ego dhe është arrivist në vetvete, absolutisht që e gjen mundësinë. Nuk ka gjë që nuk arrihet po të kesh vullnet dhe po të jesh e bindur në vetvete për atë që do.

Një mesazh ose këshillë për të gjitha gratë?

Mesazhi im është kujdesuni për veten, njihni trupin tuaj, konsultohuni sa më shumë me mjekun gjinekolog ose të familjes dhe mos u konsultoni shumë me internetrat. Me internetin konsultohuni vetëm pasi të keni marrë vetëm një informacion profesional nga profesionisti.

Portret – GAZETA SHËNDETI


Po kerkon te blesh apo shesesh shtepi? Kerkoni shtepi, dyqan me qera?
Kemi mijera zgjidhje, lini kontaktet dhe kerkesen tuaj dhe ne do tju kontaktojme brenda 24 oreve te ardhshme:

Please leave this field empty.


Ndihesh i lodhur dhe pa energji gjate dites? Konsumo produkte bio. Kliko Bioearth.al send




close